Guidë në malet e bukura të Kosovës, BPB nënshkruan partneritet me Klubin Alpin “Prishtina”

Banka për Biznes në bashkëpunim me Klubin Alpin “Prishtina” do të eksplorojë këtë vit disa nga vendet më të bukura të Kosovës, duke sjellë pamje të mrekullueshme nga ekspedita.

BPB ka nënshkruar sot marrëveshje partneriteti me Klubin Alpin “Prishtina”, që ka në përmbajtjen e saj një sërë të aktiviteteve që kanë të bëjnë me ambientin, kulturën, turizmin, shoqërinë, sportin dhe socializimin.

Në guidat që do të organizohen mes dy partnerëve përfshihen paraqitjet e përbashkëta në këto organizime me qëllim të ngritjes së vetëdijes për njohjen e vendit në aspektin natyror dhe kulturor.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka bërë zëvendëskryeshefi ekzekutiv i BPB-së, Artan Sadiku dhe përfaqësuesi i Klubit Alpin “Prishtina”.

Sadiku ka thënë se banka e vendit në vazhdimësi është angazhuar që të promovojë kulturën dhe turizmin vendor, pasi qe si institucion me kapital vendor një gjë të tillë e shohin si detyrë ndaj qytetarëve dhe klientëve.

“Në BPB në vazhdimësi jemi angazhuar për të qenë më afër qytetarëve dhe klientëve tanë duke sjellë projekte që e kanë në fokus turizmin e kulturën dhe ngritjen e mirëqenies së përgjithshme. Ky bashkëpunim i yni me Klubin Alpin “Prishtina”, është tregues i qartë i misionit që kemi si bankë”, ka thënë ai.

Zv.kryeshefi i Bankës për Biznes tutje tha se projektet e tilla do të ndikojnë gjithashtu edhe në rritjen e vetëdijes për ruajtjen e resurseve natyrore dhe etno kulturore.

“Banka e vendit sigurohet që ta luaj rolin e saj të qytetarit aktiv në sferat ku më së shumti nevojitet bashkëpunimi dhe aty ku sigurisht ka mundësi për të treguar se Kosova është vërtet vend që ja vlen të vizitohet. Përmes këtij projekti ne do të tentojmë ta përçojmë këtë mesazh”, ka thënë ai.

Nga Klubi Alpin Prishtina ndërkaq kanë thënë se janë të lumtur që së bashku me BPB-në këtë vit do të organizohet ky projekt, mesazhi i të cilit do të jetë në të mirën e përgjithshme.