WE Finance Code

Banka e Vendit ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave dhe zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga gratë, në kuadër të Kodit WE Finance për gratë ndërmarrëse, një iniciativë e udhëhequr nga Banka Qendrore e Kosovës që synon eliminimin e pengesave me të cilat përballen gratë në ndërmarrje.

Nëpërmjet këtij zotimi, banka synon të forcojë më tej rolin e saj në promovimin e grave ndërmarrëse dhe në mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të udhëhequra nga gratë.

Sipas bankës, angazhimet kryesore përfshijnë integrimin e barazisë gjinore në politikat dhe praktikat e brendshme, përmes trajnimit të stafit dhe përmirësimit të politikave të burimeve njerëzore. Po ashtu, banka do të vazhdojë zhvillimin dhe promovimin e produkteve financiare të dedikuara për gratë ndërmarrëse, organizimin e trajnimeve, aktiviteteve dhe programeve të mentorimit, si dhe realizimin e fushatave të veçanta për rritjen e qasjes së grave në financa.

Një tjetër fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes dhe analizës së të dhënave të ndara sipas gjinisë, me qëllim kuptimin më të mirë të nevojave të klientëve, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit me partnerë dhe institucione të ndryshme për të krijuar më shumë mundësi financiare për bizneset e drejtuara nga gratë.

Përmes këtyre veprimeve, BPB synon të kontribuojë në ndërtimin e një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës dhe në rritjen e pjesëmarrjes së grave në zhvillimin ekonomik të vendit.

Letra e zotimit.