Njoftim nga BPB, Arton Celina jep dorëheqje nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv

Arton Celina ka njoftuar Bordin e Drejtorëve të Bankës për Biznes për dorëheqjen nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të BPB-së, post që e ka mbajtur për gjashtë vite.

Z.Celina do të jetë në krye të institucionit deri me datë 30 qershor, 2022, ndërkaq, pas kësaj date, zëvendëskryeshefi aktual, Artan Sadiku do të emërohet në këtë pozitë, derisa Bordi i Drejtorëve të marrë vendim për zëvendësimin e përhershëm. Z. Sadiku, është emëruar Zv. Kryeshef Ekzekutiv në Bankën për Biznes në vitin 2016, pas disa pozitave të ndryshme menaxhuese në karrierën bankare të filluar në vitin 2004.

“Bordi i Drejtorëve të Bankës për Biznes njofton se z.Arton Celina, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv. Puna e z.Celina e ka çuar BPB-në në një nivel tjetër, duke siguruar rritje të qëndrueshme në sektorin financiar në Kosovë. Shumë projekte të nisura nga z. Celina dhe ripozicionimi strategjik i bankës kanë çuar në sukses të madh. Falënderoj z. Arton Celina për kontributin e tij në zhvillimin e BPB-së, me përmbylljen e vitit 2021 si viti financiar më i mirë në historinë e bankës. I uroj të gjitha të mirat në sfidat e ardhshme profesionale në karrierën e tij”, tha z. Ansis Grasmanis, Kryetar i Bordit të Drejtorëve.

Kryeshefi Ekzekutiv, Arton Celina ndërkaq, ka thënë se ishte privilegj i madh për të që të drejtojë gati 400 punonjës, për 6 vite.

“Pas gjashtë vitesh, me datë 30 qershor do të jetë dita e fundit e imja në Bankën për Biznes, në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Sot më anë të këtij publikimi, po ju njoftoj për dorëheqjen time nga pozita e të parit të BPB-së. Jam krenar që institucionin kemi arritur ta transformojmë falë strategjisë së duhur që e kemi zgjedhur në fillimin e detyrës, andaj, edhe sot jam i bindur se BPB do të vazhdojë të ketë të njejtat rezultate. Ka qenë privilegj për mua që të udhëheq gati 400 punonjës për tërë këto vite, puna e përbashkët në vazhdimësi na është shpërblyer me rritje të institucionit, deri në nivelin në të cilin kemi arritur ta sjellim tani. Falënderoj të gjithë punonjësit e BPB-së për kontributin e tyre të pashoq.

Bordit dhe aksionarëve i falënderohem për korrektësinë, pjesës tjetër të menaxhmentit për bashkëpunimin e vazhdueshëm duke ju uruar gjithsesi suksese.

Një falënderim të veçantë kam për klientët, ju faleminderit për besimin, qëndrimi juaj besnik ndaj institucionit tonë na e ka rritur përgjegjësinë e angazhimit, andaj, jam i lumtur që BPB-në po e lë në një nivel stabil dhe në trend me të gjitha kërkesat e kohës. Banka ka punë të mëdha përpara, por, e rëndësishme është që ka themel të fortë dhe është e përgatitur mirë për të ardhmen”, ka thënë z.Arton Celina.

Arton Celina ishte emëruar Kryeshef Ekzekutiv si dhe antarë i Bordit Drejtues në Bankën për Biznes në maj të vitit 2016.