IFC-ja, Banka për Biznes fillojnë me Produkte kreditore për të rritur efiçencën e energjisë në Kosovë

Prishtinë, Kosovë, 8 dhjetor 2015 — Me mbështetjen e IFC-së, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, Banka për Biznes (BPB) ka zhvilluar produkte të reja të kredisë për të financuar projektet e efiçiencës së energjisë për shtëpi dhe biznese më të vogla në Kosovë.

IFC-ja ka filluar punën e saj këshilluese me BPB-në në shtator të vitit 2014 për ta ndihmuar bankën që të zhvillojë ekspertizë në kreditimin e bazuar në efiçiencë të energjisë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, BPB-ja ka zhvilluar dy produkte të kreditimit – kreditë për efiçiencë të energjisë (EE) për ndërmarrje private dhe kreditë EE për huamarrësit individual, të cilat u prezantuan para klientëve të bankës, përfaqësuesve të industrisë dhe publikut në ngjarjen e organizuar në Prishtinë duke shënuar fillimin e kreditimit.

“Bashkëpunimi me IFC-në ka ndihmuar në përmirësimin e ekspertizës së BPB-së dhe kapaciteteve të brendshme për zhvillimin e biznesit bankar për kreditimin e efiçiencës së energjisë,” tha Richard Beasley, Kryeshef ekzekutiv i BPB-së. “Financimi për projektet e efiçiencës së energjisë është kompleks, por ka potencial të konsiderueshëm të investimit në një modernizim efiçient të energjisë të ekonomive familjare private të Kosovës dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ne jemi të kënaqur që mbështesim realizimin e këtij potenciali.”

Pas fillimit zyrtar të produkteve bankare, IFC-ja do të bashkëpunojë edhe më tej me BPB-në në aktivitete të përbashkëta promovuese dhe do të ofrojë mbështetje transaksionale. Projekti këshillues me BPB-në është pjesë e Programit të Financimit të Qëndrueshëm të Energjisë të IFC-së në Evropë dhe Azi Qendrore, që implementohet në partneritet me Ministrinë Federale të Financave të Austrisë.

“Rritja e efiçiencës së energjisë është prioritet për Kosovën, kryesisht për shkak se bizneset që zbatojnë masa të efiçiencës së energjisë mund ta zvogëlojnë pjesën e kostove të energjisë në punët e tyre dhe të rrisin shanset e tyre për sukses afatgjatë dhe qëndrueshmëri”, tha Thomas Lubeck, Menaxher Rajonal i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. “Individët mund t’i zvogëlojnë shpenzimet e tyre të energjisë, përderisa përmirësojnë kushtet e jetesës në familjet e tyre.”

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që atëherë, investimi i IFC-së në Kosovë ka arritur në 389.8 milionë dollarë, duke përfshirë fondet e mobilizuara nga partnerët tanë. Përveç kësaj, IFC-ja ka mbështetur rrjedhjet tregtare prej 4.8 milionë dollarë në Kosovë përmes programit të saj të financimit të tregtisë. IFC-ja po ashtu është duke punuar për të përmirësuar klimën e investimeve, performancën e kompanive të sektorit privat dhe për të tërhequr pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës.

Për IFC-në
IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim global që fokusohet në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Duke punuar me mbi 2000 biznese në mbarë botën, ne shfrytëzojmë kapitalin, ekspertizën, dhe ndikimin tonë, për të krijuar mundësinë aty ku më së shumti nevojitet. Në vitin fiskal 2015, investimet tona afatgjate në vendet në zhvillim u ngritën në afro 18 miliardë dollarë, duke ndihmuar sektorin privat që të luajë rolin kryesor në përpjekjen globale për të çrrënjosur varfërinë e skajshme dhe për të rritur përparimin e përbashkët. Për më shumë informata, vizitoniwww.ifc.org.