BPB dhe FKGK nënshkruajnë marrëveshje për dritaren GROW

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Bankës për Biznes me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për Dritaren GROW.

Kryeshefja Ekzekutive e BPB-së, Mimoza Godanci dhe Besnik Berisha, Drejtor Menaxhues në FKGK sot kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për dritaren GROW, që është e dedikuar për të mbështetur investimet e bizneseve kosovare në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.

Mimoza Godanci, Kryeshefe Ekzekutive në  BPB tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se kjo dritare që vjen në vazhdën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, e dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme do të ju ndihmojë të njëjtave për të investuar në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tyre të mëtutjeshme.

“Bashkëpunimet me FKGK-në ndër vite kanë treguar për rezultatin pozitiv që kanë për bizneset kosovare, andaj edhe përmes dritares GROW ne jemi të bindur se do t’i ndihmojmë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të marrin kontrollin e kostove të tyre të energjisë. Përmes kësaj dritare synim i yni është që të këshillojmë bizneset vendore që të bashkëpunojnë më BPB-në për të kuptuar përparësitë dhe përfitimet e investimit në energji të ripërtëritshme”, tha Godanci.

Drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Besnik Berisha, me këtë rast theksoi:

Ne kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me Bankën për Biznes, dhe sot jemi të lumtur që nënshkruajmë marrëveshjen për dritaren GROW. Kjo ngjarje është zgjerim i mëtutjeshëm i këtij bashkëpunimi dhe do t’i ndihmojë të dy institucionet në realizimin e objektivave të qendrueshmërisë.

Dritarja GROW (Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbëra) do të lehtësojë qasjen në financa dhe mbështesë zhvillimin e bizneseve që investojnë në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë.

Dritarja GROW do të mbështesë ekonominë e Kosovës përmes rritjes së investimeve të gjelbëra,  falë kapitalit prej gjashtë (6) milionë euro të dhuruar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), asistencës teknike nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe instrumetit të rigarantimit nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC);