BPB dhe DSK nisin bashkë festën për fundvit, dhjetëra fëmijë gëzohen me dhurata nga babadimri

Banka për Biznes dhe partneri i saj, Down Syndrome Kosova, kanë nisur bashkë festën e fundvitit. BPB ka suprizuar sot anëtarët e DSK-së duke iu dërguar dhurata që i ka shpërndarë babadimri.

Një delegacion nga Banka për Biznes ka vizituar sot Down Syndrome Kosova, shoqatë me të cilën BPB ka nënshkuar partneritet 5-vjeçar.

Kryeshefi ekzekutiv i BPB-së, Arton Celina bashkë me udhëheqësen e departamentit të Burimeve Njerëzore, Anita Kosumi-Ajeti dhe udhëheqësen e departamentit të Financave, Gresa Godeni, kanë vizituar DSK-në, ku me këtë rast banka e vendit ka vendosur t’i gëzojë anëtarët e kësaj shoqate duke iu dërguar dhurata, që i ka shpërndarë babadimri.

Pos dhuratave, BPB edhe këtë vit ka blerë një sasi të konsiderueshme të kartolinave, që punohen me shumë dashuri në punëtorinë e DSK-së, nga anëtarët e kësaj shoqate.

Anita Kosumi-Ajeti, udhëheqëse e departamentit të Burimeve Njerëzore në BPB, pas dorëzimit të dhuratave tha se është e lumtur që festën e fundvitit po e nisin me miqtë në Down Syndrome Kosova.

“BPB ka nënshkruar javë më parë partneritet 5-vjeçar me DSK-në, e në kuadër të bashkëpunimit tonë asesi nuk mund të ndodhte ndryshe pos të nisnim së bashku festat e fundvitit”, ka thënë ajo, duke premtuar se në vitin 2022-të, BPB dhe DSK do të sjellin edhe shumë projekte të reja së bashku, që në fokus do të kenë ndihmën ndaj kësaj kategorie.

“Ne jemi të lumtur që sado pak pos ndihmesës në përmirësim të shërbimeve, po ndikojmë në lumturinë e këtyre fëmijëve sot. Viti i ri sigurisht se do të sjell edhe projekte të reja, për të cilat ne veçse jemi zotuar”, tha Kosumi-Ajeti.

Drejtoresha ekzekutive e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, ndërkaq ka thënë se BPB po ndihmon në vazhdimësi në krijimin e kushteve më të mira në shoqatën të cilën ajo e udhëheq.

 “Për ne ishte kënaqësi të presim në vizitë delegacionin e Bankës për Biznes, bankë e cila po mbështet fuqishëm kauzën e shoqatës Down Syndrome Kosova. Përveç shërbimeve terapeutike që banka po mbështet 10 fëmijë me Sindromë Down për një periudhë 5-vjeçare, do të kemi dhe kemi pasur edhe bashkëpunime tjera, si trajnimin për mësimdhënës që është mbajtur gjatë muajit nëntor, trajnim i mbajtur nga ekspertë të Bashkimit Evropian, ku në kuadër të këtij trajnimi ne kemi arritur të trajnojmë 25 mësimdhënës në nivel vendi. Ndërsa, mbështetja e shërbimeve terapeutike për neve është shumë e rëndësishme sepse qëndrueshmëria e shërbimeve është tejet sfiduese, mirëpo, me miq dhe  njerëz të vullnetit të mirë, ne po arrijmë që të kalojmë sfidat tona ditore”, tha thënë Hajdini-Beqiri.

“Ne kemi filluar bashkëunimin gjatë vitit 2021, marrëveshja parasheh bashkëpunim 5-vjeçar mes DSK-së dhe BPB-së është një marrëveshje afatgjate, që ofron mbështetje të fuqishme sa i përket programeve të Down Syndrome Kosova, programe që ofrojnë shërbime terapeutike mbështetëse për të rriturit dhe fëmijët me DSK”, ka shtuar e njejta.

BPB ka nënshkruar partneritet 5-vjeçar me DSK-në në nëntor të këtij viti. Në kuadër të kësaj marrëveshje është mundësuar rritja e numrit të fëmijëve që marrin shërbime në këtë shoqatë, e që deri atëherë ishin në listë të pritjes.

Partneriti me shoqatën Down Syndrome Kosova, do të ndikojë dukshëm në rritjen e kujdesit ndaj kategorisë më të dashur të shoqërisë tonë, duke plotësuar nevojat e tyre në disa fusha.

20 vite kujdes, BPB, miku i fëmijëve.