BPB dhe BERZH nënshkruajnë për herë të dytë marrëveshje kreditore në vlerë 5 milion euro

Në selinë qendrore të Bankës për Biznes në Prishtinë, sot është mbajtur takim në mes të kryeshefit ekzekutiv të këtij institucioni, Arton Celina dhe drejtorit rajonal të Bankës Evropiane për Rindërtim (BERZH) për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli.

Përfaqësuesit e BERZH-it dhe BPB-së kanë nënshkruar marrëveshje kreditore në vlerë 5 milion euro, që në fokus ka mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në vend.

Kjo është hera e dytë që BPB nënshkruan me BERZH-in, pas shfrytëzimit të plotë të kredisë paraprake të vitit 2018-të.

Fondet do të mbështesin bizneset e vogla vendore për të arritur standardet më të mira të industrisë dhe për të zbatuar direktivat e Bashkimit Evropian (BE). Qëllimi është të inkurajohen SME-të që të investojnë me fokus në tre fusha kryesore: mbrojtjen e mjedisit, shëndetin e sigurinë dhe cilësinë e produktit.

Të paktën 60 për qind e të gjitha kredive do të mbështesin investimet në kursim të energjisë.

NVM-të e përfshira do të kenë gjithashtu akses në këshilla dhe njohuri që janë të përshtatura për t’i bërë të njëjtat konkurruese në tregjet e BE-së, përmes prezantimit dhe zbatimit të standardeve dhe direktivave.

Ata do të përfitojnë gjithashtu nga stimujt e granteve me vlerë deri në 15% të shumës totale të huasë me përfundimin e suksesshëm të projektit.

Kjo linjë e kredisë është pjesë e një nisme të mëparshme të BERZH-it që inkurajon bizneset në Ballkanin Perëndimor të investojnë në projekte që përmirësojnë konkurrencën në tregjet lokale dhe internacionale.

Matteo Colangeli, Drejtor Rajonal i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, tha: “Jemi shumë të kënaqur që do ta shtojmë bashkëpunimin tonë me Bankën për Biznes dhe do t’i përkrahim më tej NVM-të vendore. Financimi i ri do ta lehtësojë qasjen në financa të strukturuar mirë për bizneset e vogla, duke i ndihmuar ata të bëhen më konkurrues dhe të rikuperohen nga efektet negative pas pandemisë”.

“Përmes këtij mjeti dhe punës sonë të përbashkët, ne do t’u mundësojmë ndërmarrjeve kosovare qasje më të lehtë në financim dhe do t’u mundësojmë NVM-ve të arrijnë standardet e BE-së dhe të zgjerohen në rajon dhe ndërkombëtarisht. BE-ja është dhe do të vazhdojë të jetë donatori, investitori dhe partneri tregtar më i madh në Kosovë”, nënvizoi Luigi Brusa, Shef i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së.

Kryeshefi i BPB-së, Arton Celina ka thënë se edhe tani si tre vite më parë BPB është entuziaste për marrëveshjen e tillë me BERZH-in, specifikisht, duke parë rezultatet dhe ndikimin te kategoria e biznesit që Banka për Biznes e synon edhe sipas strategjisë së saj të brendshme.

“Me këtë kontratë që po nënshkruajmë për të dytën herë me BERZH-in, BPB vazhdon të tregojë se është dorë e djathtë e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe në vazhdimësi angazhohet për të ndihmuar me projekte të ndryshme këtë kategori”, ka thënë Celina.

“Kjo linjë kreditimi ka treguar se ndihmon jo vetëm klientët tanë, por, gjithashtu kontribuon në performancën e përgjithshme të NVM-ve në Kosovë. Të njëjtat rrjedhimisht, bëhen më konkurruese në tregjet vendore dhe ndërkombëtare. BPB edhe në strategjinë e saj ka në fokus të udhëheq projekte të tilla të avancuara që do të ofrojnë një gamë të gjerë të produkteve bankare”, ka thënë drejtori i BPB-së.

Banka për Biznes këtë vit feston 20 vite jetë dhe vazhdon të jetë besnike ndaj misionit të saj, që është përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mesme, që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Këtë vit, BPB ka nisur edhe ciklin e akademive të biznesit, ku mbi 300 biznese kosovare janë trajnuar nga ekspertë vendorë dhe nga Turqia rreth strategjisë së biznesit, planeve të marketingut dhe menaxhimit të financave, e tema të tjera me rëndësi për menaxhimin, rritjen dhe vazhdimësinë e bizneseve të tyre.

BERZH ndërkaq, ka investuar 545 milionë euro në Kosovë që nga fillimi i operimit në vitin 2012-të. Prioritetet strategjike të Bankës në vend janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat dhe nxitja e integrimit rajonal.