Banka Evropiane per Rindertim dhe Zhvillim behet aksionare e Bankes per Biznes
Prishtinë, 27 qershor – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është bërë pjesë e Bankës për Biznes (BpB), pasi ka vendosur të investoj në këtë bankë kosovare duke blerë 10 përqind të aksioneve, vendim që është vlerësuar si pozitiv jo vetëm për këtë bankë, por edhe për sistemin bankar të vendit dhe gjithë ekonominë.
Nënshkrimi i marrveshjes për blerjen e aksioneve është bërë të hënën nga drejtori i përgjtihshëm i BpB-së, Vullnet Latifi dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor të BERZH-it, Henry Russell, në prani të Ministrit të Finacave Bedri Hamza, Guvernatorit të Bankës Qendrore, Gani Gerguri dhe personaliteve të tjera.
Drejtori i BpB-së, Vullnet Latifi, tha për të arritur deri këtu është dashur të bëhet një punë e gjatë dhe profesionale.
“Fakti më i rëndësishëm është se një bankë e madhe dhe e fuqishme si BERZH-i, përmes BpB-së, po hyn seriozisht në tregun Kosovës”, tha z. Latifi.
Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjes u bë pas një periudhe të gjatë të bashkëpunimit dhe gjatë së cilës BPB-ja dëshmoi seriozitetin dhe qasjen profesionale, jo vetëm me këtë bankë, por me klientët dhe me tregun.
“Arritja e parë e madhe ndodhi vitin e kaluar. BpB –ja nënshkroi një marrëveshje huaje me BERZH-in që përfshinte ngritjen e kapaciteteve në fushat e strategjisë së biznesit, menaxhimin e riskut, auditimin e brendshëm, analizën e kreditit, thesarit dhe zhvillimin e produkteve të reja. Përmes këtij bashkëpunimi u forcua besimi edhe për shtrirje në fushat e tjera. Këto përfshihet programi përmes të cilit BERZH jep garanci ndërkombëtare për BpB-në. Garancia e parë në kuadrin e Programit është lëshuar javën e kaluar”, tha tutje Drejtori i BpB-së, Vullnet Latifi, duke shtuar se BERZH-i na ofron Një MUNDËSI PËR MË SHUMË.- siç është edhe slogani i vet bankës.
Ndërsa Drejtori për Ballkanin Perendimor i BERZH- Henry Russell, u shpreh se arritja e një marrveshje të tillë me BpB u bë pas një pune disa vjeçare të përbashkët mes dy bankave. “ Është impresionuese puna profesionale e menaxhmentit dhe e gjithë stafit të bankës, të cilët kanë arritur dhe tejkaluar objektivat. Ne falemenderojmë ata për këtë përkushtim dhe tani e tutje do të punojmë edhe më shumë së bashku”, tha z. Rusell. Sipas tij, fillimisht janë blerë 10 përqind të aksioneve, por kjo do të zgjerohet më vonë. “ Ne do të angazhohemi me njerëzit tanë edhe në Bordin e BpB-së. Na pret një punë për të avancuar edhe më shumë në tregun e Kosovës”, pohoi Russell.
Investimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është vlerësuar si shumë i rëndësishëm jo vetëm për BpB-në, por për të gjithë Kosovën , madje edhe nga Ministri i Financave, Bedri Hamza. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, respektivisht hyrja e EBRD-së në strukturën e kapitalit të Bankës për Biznes është një tregues i qëndrueshmërisë dhe stabilitetit jo vetëm të BpB-së por i tërë sistemit bankar dhe më gjerë”, ka veçuar ministri Hamza.
Ministri Hamza ka shtuar se Ministria e Financave dhe Qeveria në vijimësi është angazhuar në drejtim të krijimit të parakushteve sa më të mira për investime të huaja direkte në Kosovë.
Ndërsa Gurvenatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, tha se BERZH po hyn në Kosovë përmes BpB-së dhe kjo paraqet një arritje të madhe për të gjithë Kosovën.
“BERZH hyri në Kosovë përmes një dritare dhe kjo paraqet të arritur të madhe jo vetëm për BpB, por edhe për të gjithë sistemin bankar dhe ekonominë e Kosovës. Është sinjali më i mirë që mund t’i japim të gjithë investitorëve të huaj”, tha Guvernatori Gërguri. Sipas tij, BpB pas një pune disa vjeçare me BERZH është dëshmuar si partner i denjë dhe kjo bankë ka vendosur të investojë në aksionet e kompanisë.
“BpB është treguar një bankë kredibile në raport me BERZH dhe tani me plot meritë po bëhet pjesë e sajë. I përgëzojmë dhe i inkurajojmë njëkohësisht që pas BpB-së ta pranojnë Kosovën si anëtare të këtij institucioni të fuqishëm financiarë”, përfundoi Gërguri. Banka për Biznes ka njohur rritje të fuqishme, veçmas gjatë dy viteve të fundit duke u shtrirë në 42 degë në të gjithë Kosovën dhe duke punësuar rreth 350 persona në total. Që nga fillimi i vitit 2009 e deri në fund të vitit 2010, asetet totale të Bankës janë rritur rreth 70%, depozitat me mbi 70% ndërsa kreditë mbi 80%.
Këto norma të rritjes së biznesit tregojnë se Banka për Biznes, jo vetëm që ka arrit të rritë numrin e klientëve dhe volumin e biznesit por edhe pjesëmarrjen e saj në tregun Bankar të Kosovës.