“Depozita e Gjelbër” nga BPB dhe FKGK

BPB dhe FKGK nënshkruajnë marrëveshjen për instrumentin e ri “Depozita e Gjelbër”

Prishtinë, 10 qershor 2026 – BPB dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e instrumentit të ri financiar “Depozita e Gjelbër”, një iniciativë që synon të mbështesë financimin e investimeve të qëndrueshme dhe të kontribuojë në përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të gjelbër në Kosovë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, BPB e zgjeron më tej gamën e produkteve të saj të gjelbra, duke shtuar Depozitën e Gjelbër me afat si një instrument të ri që lidh kursimet dhe burimet financiare me investime konkrete me ndikim pozitiv ekonomik dhe mjedisor.

Kjo iniciativë mbështetet gjithashtu nga Projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i implementuar nga Helvetas. Projekti synon të mbështesë ndërmarrjet kosovare në adoptimin e praktikave të qëndrueshme dhe konkurruese të biznesit.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryeshefja Ekzekutive e BPB-së, Mimoza Godanci-Aliu, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap tjetër në vizionin e bankës për zhvillimin e financave të gjelbra në vend.

Në BPB besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër nuk mund të mbështetet vetëm nga kreditimi i gjelbër. Për të krijuar ndikim të qëndrueshëm, është po aq e rëndësishme të angazhojmë edhe kursimtarët dhe t’u japim atyre mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në financimin e investimeve që mbrojnë mjedisin dhe krijojnë vlerë afatgjatë për shoqërinë.

Pikërisht me këtë vizion, BPB lansoi Llogarinë e Gjelbër të Kursimit, produktin e parë të këtij lloji në Kosovë, duke zgjeruar konceptin e financave të gjelbra përtej huamarrjes dhe duke ngritur vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e kursimit të orientuar drejt investimeve të qëndrueshme. Përmes këtij produkti, çdo kursimtar ka mundësinë të bëhet pjesë aktive e tranzicionit të gjelbër dhe të kontribuojë në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Sot jemi veçanërisht të lumtur që po e konkretizojmë këtë vizion përmes Depozitës së parë të Gjelbër me afat, të realizuar së bashku me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, një partner i rëndësishëm në zhvillimin e ekosistemit financiar të Kosovës. Kjo marrëveshje përfaqëson më shumë sesa një instrument financiar – ajo dëshmon se kur institucionet bashkojnë forcat rreth një qëllimi të përbashkët, mund të krijojnë ndikim real ekonomik dhe mjedisor.

Kjo iniciativë është një shembull konkret se si partneriteti ndërmjet BPB-së, FKGK-së dhe partnerëve zhvillimorë po e shndërron agjendën e gjelbër nga një vizion në investime reale me ndikim të matshëm për ekonominë dhe mjedisin e Kosovës.” tha Godanci-Aliu.

Nga ana tjetër, Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore theksoi se lansimi i këtij instrumenti paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e financave të gjelbra në Kosovë.

Lansimi i instrumentit ‘Depozita e Gjelbër’ përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të avancuar financat e gjelbra në Kosovë. Përmes kësaj marrëveshjeje me BPB, po krijojmë një mekanizëm konkret që lidh drejtpërdrejt burimet financiare me investimet që gjenerojnë përfitime mjedisore dhe ekonomike afatgjata. 

Në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të qëndrueshme kërkon jo vetëm vullnet, por edhe instrumente financiare inovative që i mundësojnë sektorit privat të investojë në teknologji dhe praktika më të gjelbra. ‘Depozita e Gjelbër’ është pikërisht një instrument i tillë, i cili jo vetëm që mbështet investimet e qëndrueshme, por gjithashtu forcon rolin e sektorit financiar në adresimin e sfidave klimatike dhe mjedisore.

Besojmë se ky bashkëpunim me BPB do të shërbejë si një model i suksesshëm për zgjerimin e mëtejshëm të financave të gjelbra në Kosovë. Së bashku po ndërtojmë një ekosistem financiar më të qëndrueshëm, më inovativ dhe më të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të vendit.”u shpreh ai.

BPB tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim përmes Kursimeve të Gjelbra, produkt i cili u ka mundësuar klientëve të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbështetjen e projekteve të qëndrueshme, kurse me Depozitën e Gjelbër me afat, e konceptuar si një mekanizëm transparent dhe i besueshëm për financimin e investimeve të gjelbra, banka e zgjeron këtë qasje duke krijuar një mundësi shtesë për orientimin e fondeve drejt projekteve që mbështesin mbrojtjen e mjedisit, efikasitetin e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe investime të tjera të përcaktuara si të gjelbra. 

Përmes këtij instrumenti, BPB, FKGK dhe partnerët zhvillimorë synojnë të kontribuojnë në forcimin e ekosistemit të financave të gjelbra në Kosovë, në rritjen e qasjes në financim për investime të qëndrueshme dhe në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.