BERZH mbështet Bankën e Vendit me një financim prej 10 milionë eurosh

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) financoi  Bankën për Biznes me një shumë prej 10 milionë euro, për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në mbarë vendin.

Qëllimi i këtij projekti është të promovojë ndërmarrësinë dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë në treg përmes rritjes së çasjes në financim për NMVM-të private, të cilat përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së Kosovës.

Në përputhje me qasjen e BERZH për Tranzicionin drejt Ekonomisë së Gjelbër (GET), BPB është zotuar të alokojë gjysmën e fondit të kredisë për investime që përputhen me kriteret e GET, duke nxitur financimin e gjelbër dhe mbështetur rritjen e qëndrueshme në vend.

Marrëveshja e financimit u nënshkrua nga Zëvendëspresidenti i BERZH për Bankat, Matteo Patrone, dhe Drejtoresha Ekzekutive e BPB-së, Mimoza Godanci-Aliu, gjatë një vizite të z. Patrone në Kosovë.

Z. Patrone tha: “Jemi të kënaqur që po thellojmë partneritetin tonë me Bankën për Biznes përmes këtij paketi të ri financiar, i cili do të zgjerojë aksesin në financim për bizneset e vogla në gjithë Kosovën. Duke alokuar gjysmën e huasë për investime të gjelbra, ne po ndihmojmë ndërmarrjet vendore të përqafojnë qëndrueshmërinë dhe të ndërtojnë rezistencë, në përputhje me prioritetet tona strategjike për zhvillimin afatgjatë të Kosovës.”

Znj. Godanci-Aliu tha: “Ky projekt me BERZH e forcon angazhimin strategjik të BPB-së për të fuqizuar NMVM-të në Kosovë dhe për të avancuar kalimin drejt ekonomisë së gjelbër. Duke ofruar mbështetje për t’i ndihmuar bizneset vendore të rriten në mënyrë më konkurruese dhe të qëndrueshme, ne po kontribuojmë në zhvillimin më të gjerë të ekonomisë së Kosovës.”

Ky projekt i ri është plotësisht në përputhje me prioritetet strategjike të BERZH në Kosovë, ku Banka mbetet e përkushtuar në forcimin e sektorit privat dhe mbështetjen e kalimit të vendit drejt një ekonomie të gjelbër.