Nis cikli i tretë i Akademive të Biznesit nga BPB

BPB ka nisur ciklin e tretë të Akademive të Biznesit, projekt përmes te cilit, bizneset mikro, te vogla dhe të mesme do të trajnohen nga ekspertë të fushave të ndryshme.

Kushtrim Avdiu, menaxher në degën kryesore të BPB-së në Prishtinë në fjalimin hyrës ka treguar për angazhimin e vazhdueshëm të bankës që të jetë edhe më pranë klientëve përmes shërbimeve jo financiare. Ai gjithashtu ka folur edhe për platformën e dedikuar pikërisht për këtë kategori.

“Derisa BPB ka dëshmuar se është një bankë e qëndrueshme e në vazhdimësi në rritje, njejtë ndodhë edhe më kërkesat dhe nevojat e klientëve tanë. BPB ka tash e disa vite që në strategjinë e saj ofron shërbime jo-financiare që fillimisht nisën me Akademitë e Biznesit ndërkaq tashmë jemi institucioni i parë financiar në vend me platformë informative të dedikuar pikërisht për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Në INFOMAT të gjithë në kohë reale mund të merrni informacionet e fundit që ju duhen për biznesin tuaj, por edhe të kërkoni këshillim nga këshilltarët tanë, ekspertë të fushës”, ka thënë Avdiu.

Përfaqësuesja e BERZH-it, Leonora Kusari tha se bashkë me BPB-në, dy institucionet janë koordinim të vazhdueshëm lidhur me projekte të tilla si Akademitë që i shërbejnë kategorisë së synuar, e që është 98% e totalit të bizneseve që operojnë në Kosovë.

Kusari tutje ka thënë se BERZH-i dhe BPB janë pranë bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme edhe pranë linjave të ndryshme kreditore, të dedikuara për to.
Këtë vit bizneset që ishin pjesë e Akademisë janë trajnuar për Planifikimin Strategjik nga Bersant Disha, Recura Financials dhe për Marketingun Digjital nga Think B.