BPB organizon për të dytin vit me radhë Akademitë e Biznesit

Banka për Biznes, si partner kryesor i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, për të dytin vit me radhë organizon Akademitë e Biznesit, që edhe sivjet do të mbahen në qendrat më të mëdha të Kosovës, derisa, qindra biznese do të trajnohen nga ekspertët më të mirë të fushës. Pas suksesit të ciklit të parë, nga diskutimi i vazhdueshëm me bizneset, BPB ka vendosur që të vazhdojë këto akademi, duke parë shërbimet jo-financiare që ju ofrojmë këtyre bizneseve si një shtyllë për një bashkëpunim afatgjatë.

“Jam shumë i lumtur sot që të drejtohem para jush, në emër të Menaxhmentit Ekzekutiv të Bankës për Biznes, në hapjen zyrtare të ciklit të dytë të Akademive të Biznesit, një nga projektet më të rëndësishme të institucionit tonë, që në fokus e ka pikërisht klientin dhe synon që përmes këtyre shërbimeve jofinanciare të sjell te ju një pasqyrë të qartë për çfarëdo pikëpyetje që mund të keni rreth operimit. Sot në Prishtinë, e për muaj me radhë në qendrat kryesore të Kosovës, në këto Akademi do të jemi së bashku, bashkë me trajnerët më profesionistë të sektorit të bankingut. Vitin e kaluar rreth 300 biznese janë trajnuar nga ekspertët tanë, vendorë e ndërkombëtarë, e vazhdimi edhe me ciklin e dytë ka ardhur si nevojë pas bisedave që kemi pasur me ju, lidhur me problemet eventuale që mund të keni, dhe kontributin që ne si bankë mund të ofrojmë në këtë drejtim. Këto shërbime jo-financiare janë tregues të vizionit të BPB-së për kategorinë e saj të të bërit biznes, e që lidhet sigurisht ngushtë me strategjinë e institucionit tone”, ka thënë para të pranishmëve në Akademinë e mbajtur në Prishtinë, zv.kryeshefi ekzekutiv i BPB, Artan Sadiku.

Këtë vit ndërkaq, në kuadër të trajnimeve BPB ka inkorporuar edhe projektin GROW, i mbështetur nga MCC dhe MFK, ku do të trajnohen bizneset për financimin e qëndrueshëm, përshpejtimin e investimeve të biznesit në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë.