Shkëmbeni libra të përdorur me produkte falas bankare

Më 9 gusht 2017, në ditën ndërkombëtare të libërdashësve, banka e vendit ka filluar fushatën me anë të së cilës mëton të grumbullojë libra në shkëmbim të produkteve falas bankare. Duke qenë se të gjithë librat e grumbulluar i dhurohen falas librarive të shkollave të mesme në Kosovë, aktiviteti ka për qëllim të përkrahë nxënësit dhe të rinjtë duke ofruar më shumë resurse për të lexuar, gjatë zhvillimit të tyre akademik.

‘Fushata e grumbullimit të librave të rinj ose të përdorur, është duke u zhvilluar në 26 degët e bankës anembanë Kosovës. Librat e grumbulluar gjatë muajit gusht, do t’i dhurohen librarive të shkollave në Kosovë’, thekson Matilda Musa Gorani, Udhëheqëse e Departamentit të Marketingut në BPB.

Për një muaj, të gjithë të interesuarit mund të përfitojnë hapje falas të llogarisë së tyre bankare, mirëmbajtje dhe m-banking për një vit falas në bankën BPB vetëm duke dhuruar libra të rinj ose të përdorur në sportelet e kësaj banke.

‘Ne ftojmë të gjithë që t’i bashkangjiten inciativës sonë. Ftojmë edhe institucionet tjera të interesuara dhe që kanë publikime të llojeve të ndryshme dhe me informata të rëndësishme për nxënës, t’i bashkangjiten fushatës sonë të dhurimit të librave. Kështu, me shumë pak mund bashkërisht përkrahim zhvillimin akademik të të rinjëve të vendit.’, shton znj. Musa-Gorani

Fushata e filluar në ditën e libërdashësve, do të vazhdojë deri më 31 Gusht 2017. Gjatë gjithë kësaj periudhe, banka e vendit do të bëjë grumbullimin e librave në sportelet e të gjitha degëve të bankës, anembanë Kosovës.